PAMPURËT SHTOJNË DALLIMIN NË KRYE

Fushë Kosova i afrohet Superligës, fiton derbin në tavolinë!
4 April, 2023 @16:02
Pas ankesës së bërë në Komision të Garave (KG) skuadra e Fushë Kosovës ka fituar ndeshjen derbi të Ligës së Parë Grupi B në tavolinë. Rezultati zyrtar i ndeshjes i është dhënë Fushë Kosovës, pasi që ata kishin të drejtë në ankesën e tyre dhe kështu dueli që përfundoi në fushë Fushë Kosova 0-3 Ulpiana, tashmë është zyrtarizuar me rezultat, përfundimisht: Fushë Kosova 3-0 Ulpiana.
Mëposhtë, po sjellim njoftimin e plotë të KG-së për Vendimin.
V E N D I M
Miratohet si e bazuar – ankesa e KF “Fushë Kosova“ dhe ndeshja e javës së 20-të e Ligës së Parë– Grupi (B) ndërmjet KF “Fushë Kosova” dhe KF “Ulpiana” e përfunduar me rezultat 0:3 në fushë për KF “Ulpiana“, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Fushë Kosova”.
Arsyetim
Komisioni i Garave në seancë e vet të mbajtur me datë 04.04.2023 ,me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF “Fushë Kosova” – KF “Ulpiana“, e vlefshme për javën e 20-të të Ligës së Parë të Kosovës, Grupi (B), konstatoi se KF “Fushë-Kosova” ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes në këtë ndeshje të lojtarit të KF “Ulpiana“, Ardian Musliu –me nr . licence-2 dhe me ID-nr. 00174M97, për shkak se lojtari është aktivizuar pa të drejtë në lojë, pasi që paraprakisht në javën e 19 është ndëshkuar me kartonin e katërt të verdhë dhe ka pasur detyrim që javën e 20 të mos aktivizohet në lojë (të pushojë).
Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se: Për Komisionin e Garave, sipas nenit 71, paragrafi 1 të Rregullores së Garave janë përmbush të gjitha kushtet për administrim dhe vendim marrje lidhur me ankesën. Komisioni i Garave pas shikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve ka vërtetuar se lojtari i lart theksuar ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë, në javën e 12,14,17,dhe 19 dhe pa të drejtë është aktivizuar në javën e 20-të, kështu që ka bërë shkelje të nenit 56. Paragrafi 1 të Propozicionit të Garave – Lojtari i ndëshkuar me katër (4) kartonë të verdhë, pushon automatikisht xhiron e radhës, prandaj ankesa e KF “Fushë Kosova” miratohet si e bazuar dhe ndeshja e javës së 20-të KF “Fushë Kosova” – KF “Ulpiana“ regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Fushë Kosova“.