PROJEKT ZHVILLIMOR PËR FUTBOLLISTET

Fotografitë nga takimi: FFK
Futbollisteve iu garantohen rrogat nga FFK-ja
6 March, 2021 @9:00
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka informuar klubet e futbollit të femrave në Kosovë për projektin e ri të saj në bashkëpunim me UEFA-në dhe FIFA-në.
FFK tash e tutje do t’i përkrahë futbollistet e secilit klub në Kosovë dhe trajnerët e tyre me rroga përgjatë kalendarit të garave.
Në takim me përfaqësuesit e klubeve, sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu, bashkë me kryetaren e komisionit të femrave Vjollcë Krasniqi shpalosën programin ku bën të ditur edhe shumën që do të përfitojnë futbollistet dhe trajnerët e klubeve nga projekti i ri, si dhe rrogat e garantuara që do t’i kenë.
Aty mes tjerash është thënë se 20 lojtare të secilit të klub të Ligës së Parë të Kosovës te femrat do të marrin nga 150 euro për muaj, derisa trajneri 250 euro. Ndërsa te ato të Ligës U16 lojtaret do të subvencionohen me 100 e trajneri me 250 euro.
“Nga ky projekt 20 lojtare të secilit klub të Ligës së Parë (femrat) do të përfitojnë çdo muaj gjatë kalendarit të garave nga 150 euro, derisa trajneri i skuadrës nga 250 euro. Ndërkaq, te klubet e Ligës U16 lojtaret do të subvencionohen me nga 100 euro, kurse trajneri me nga 250 euro. Nëpërmjet këtij projekti synohet ngritja e cilësisë dhe të shihet se sa ka mundësi që nëpërmjet një subvencionimi të tillë trajnerët të nxjerrin talente të reja, të cilat do t’i shërbejnë klubeve por edhe ekipeve Kombëtare në të ardhmen,” ka bërë të ditur ndër të tjera FFK-ja.
Projekti “Subvencionimi në zhvillimin personal të lojtareve” ka për qëllim që të rrisë motivin tek vajzat për angazhim sa më të madh në lojën e futbollit, por edhe angazhimin e trajnerëve për punë sa më profesionale.