ZVICËR
Gashi shënon për fitore, Sadiku feston me shqiponjë
2 August, 2014 @22:08
Skuadra zvicrane e shqiptarëve, Arlind Ajeti, Taulant Xhaka e Shkelzen Gashi, ka shënuar fitore me rezultat 2-3 ndaj Thunit të Berat Sadikut.
Karakteristikë e kësaj ndeshjeje ishte se dy nga pesë golat e shënuara, u realizuan nga futbollistët shqiptarë.
Golashënuesi më i mirë i stinorit të kaluar në Zvicër, Shkelzen Gashi, e shënoi golin e dytë në ndeshje për epërsinë 2-0 të skuadrës së tij, duke kontribuar kështu në fitoren e Baselit, ndërsa goli tjetër u shënua nga Berat Sadiku në minutën 84’ të ndeshjes. Ky i fundit pasi shënoi për 2-2, festoi në mënyrë të veçantë duke e bërë shenjën e shqiponjës me dorë.
Përveç Sadikut dhe Gashit, në këtë ndeshje luajti si titullar edhe Taulant Xhaka i Baselit, derisa Arlind Ajeti nuk ishte përfshirë fare në përbërjen e ekipit të tij.
Për Baselin kjo ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje, ndërsa Thuni e pësoi humbjen e dytë për këtë stinor.