Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ULPIANA - GJILANI

Gerhard Progni me hat-trick, Ulpiana rikthehet në Ligën e Parë

Foto: SCGjilani/fb

Gerhard Progni me hat-trick, Ulpiana rikthehet në Ligën e Parë


30 April, 2022 @16:50

Pas dy humbjeve radhazi në Superligë, sot skuadra e Gjilanit i është rikthyer fitoreve në takimin e luajtur në udhëtim te Ulpiana.

Këtë takim të kuqtë nga Gjilani e fituan me rezultat 0-4 (Gerhard Progni 35’ 44’ 73’ (P), Blerim Krasniqi 65’), rezultat i cili bën që Ulpiana që nga sot matematikisht ta sigurojë rënien në Ligën e Parë sezonin tjetër.

Para dy golave të shënuar në pjesën e parë, një prej rasteve më të mira u shfaq për Blerim Krasniqin e Gjilanit, i cili në minutën e 31’ e goditi shtyllën.

E goli i parë erdhi në minutën e 35’, kur Gerhard Progni shënoi pas asistimit nga Elton Cale. Nëntë minuta më vonë, ishte përsëri Progni ai që e gjeti rrjetën. Këtë herë Progni u asistua nga Blerim Krasniqi, që depërtoi mjaft mirë në zonë dhe shërbeu për Prognin. Ky i fundit nuk e kishte të vështirë të shënonte me portën zbrazur.

TABELA AKTUALE

Rastet e panumërta të Gjilanit për gol vazhduan edhe në pjesën e dytë. Albert Dabiqaj e Gerhard Progni shpërdoruan raste tejet të mira për shënim pak pasi filloi pjesa e dytë, kurse goli i tretë vonoi deri në minutën e 65’. Kësaj radhe shënoi Blerim Krasniqi, ndërsa asistues te ky gol ishte Albert Dabiqaj.

Në minutën e 73’ të ndeshjes, Progni e kompletoi hat-trickun e tij personal, duke shënuar për 0-4 nga pika e bardhë. Ky ishte goli i fundit i ndeshjes dhe ndeshja u mbyll me këtë rezultat.

Kështu, Gjilani (me një ndeshje më shumë) është i dyti në Superligë për momentin, kurse Ulpiana nuk ka më gjasa për shpëtim, duke qenë 13 pikë larg vendit të tetë me 4 ndeshje të mbetura deri në fund.

Kujtojmë që pas largimit të Ismet Munishit, klubi i Gjilanit për momentin po drejtohet nga Alban Hyseni, për të cilin kjo ishte fitorja e parë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga