MESAZHI I GIRESSE

Giresse: Lojtarët që s’luajtën sonte, luajnë ndaj Zvicrës
24 March, 2022 @22:42
Përzgjedhësi i ri i Kosovës, Alain Giresse, ka qenë tejet i kënaqur me fitoren e thellë dhe lojën bindëse të Kosovës ndaj Burkina Fasos sonte në Prishtinë, ku Dardanët fituan 5-0.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes ai ka thënë se shënimi i golave është me rëndësi, ndërsa është munduar t’i japë hapësirë secilit lojtar.
“Gjithmonë është i rëndësishëm një fillim i këtillë. Loja dhe cilësia që treguan futbollistët bashkë me shënimin e golave janë me rëndësi,” ka thënë ai fillimisht.
“Kam dashur t’i jap hapësirë secilit, pjesa tjetër e lojtarëve që s’luajtën sonte do të luajnë ndaj Zvicrës dhe dua që secili të tregoj cilësitë e tij. Fitorja padyshim që është me rëndësi, edhe pse miqësore,” ka shtuar ndër të tjera Giresse.
Ai më tej ka folur edhe për Lumbardh Dellovën që vjen nga Superliga e Kosovës, duke thënë se shpreson që të motivohen edhe lojtarët tjerë të Kosovës për të treguar veten më tej…
Pas 5 ditës, Kosova mysafire e Zvicrës në Zurich, më 29 mars.