KRIZA HOLANDEZE
Goditja e radhës, i lë tulipanët pashpresë!
26 March, 2017 @12:49
Puna e vështirë që ka Danny Blind, përzgjedhës i Holandës, është vështirësuar edhe më pas disfatës nga Bullgaria mbrëmë në Sofje, 2-0.
Holanda është duke përjetuar krizën e ndërrimit të gjeneratave dhe pas mosparaqitjes në europianin e fundit “Franca 2016” tashmë rrezikon seriozisht edhe mungesën në Botërorin “Rusia 2018”.
Ka qenë sulmuesi i Pogonit të Polonisë, Spas Delev, që ka goditur Holandën me dy gola të shpejt për Bullgarinë mbrëmë në fitoren 2-0. E pamundur përkundër tentimeve ka qenë këndellja e tulipanëve, e tash Blind është në telashe të vërteta.
Holanda ka 7 pikë pas 5 ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa para saj ka Francën me 13, Suedinë me 10 dhe Bullgarinë me 9 pikë.
A do t’i shohim tulipanët në Botërorin e radhës, mbetet të shihet në pjesën e dytë të kualifikimeve ku kanë mbetur edhe 5 ndeshje për tu zhvilluar. E Holanda do të ketë punë kolosale për të bërë deri në fund të këtij viti në ndeshjet e mbetura.