RAFET PREKAZI
“Golat e shpejtë dhe kartoni i kuq ndikuan”
13 June, 2017 @8:15
Kosova U21 ka pësuar edhe në ndeshjen e dytë kualifikuese për EURO 2019. Pas Irlandës (1-0), mbrëmë shpresat e Kosovës pësuan nga Norvegjia, thellë, 5-0.
Përzgjedhësi Rafet Prekazi ka thënë se ekipi ka luajtur mirë deri në pranim të golit dhe kartonit të kuq, ndërsa Norvegjia U21 pas kësaj u çlirua totalisht dhe fitoi.
“Në pjesën e parë i morëm dy gola prej ndërprerjeve me lojën në ajër. Norvegjezët kanë lojtarë shtatlartë dhe e shfrytëzuan këtë. Mendoj se deri kur e kemi marrë kartonin e kuq kemi luajtur jashtëzakonisht mirë. Por, ky rezultat nuk të lë të flasësh më tepër. Djemtë janë angazhuar shumë. Kemi pasur shumë raste edhe ta barazojmë rezultatin e edhe ta përmbysim epërsinë e vendasve, mirëpo në momentin kur kemi mbetur me një lojtar më pak në fushë, atëherë ka ardhur në shprehje përgatitja fizike dhe na kanë mposhtur. Rezultati nuk është pasqyrë e asaj që është treguar në fushë edhe pse realisht Norvegjia është jashtëzakonisht e fortë,” kanë qenë fjalët e Prekazit pas ndeshjes.
Kosova U21 pas dy ndeshjeve të para në Grupin kualifikues, ende nuk ka shënuar asnjë gol dhe ka pranuar 6 dhe është pa pikë të fituar ende.