TRAJNERI I RI I VRESHTARËVE!

Granit Dervisholli merr timonin e KF Rahoveci
29 June, 2023 @8:10
Trajneri që drejtoi skuadrën e Ramiz Sadikut në stinorin e kaluar në kuadër të Ligës së Parë — Grupi B, Granit Dervisholli, është emëruar edhe zyrtarisht trajner i ri i ekipit të Rahovecit. Këta të fundit garojnë në Ligën e Parë — Grupi A.
Prishtinasi Dervisholli, sipas njoftimit, ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me ekipin e Rahovecit, derisa klubi po synon më të mirën e mundur për dy vitet në vijim.
“Forca Rahoveci!” — kanë qenë të vetmet fjalë që kanë dalë nga Dervisholli pas nënshkrimit të kontratës me klubin, ndërsa ekipi i ka uruar mirë se ardhje dhe sukses në udhëtimin e përbashkët në vijim.
“KF Rahoveci ka kënaqësinë të konfirmojë Granit Dervishollin si trajner të ri të skuadrës, që bashkë me shpresën nga poshtë e mbështetjen nga lartë, do të synojë arritjen më të mirë të mundshme.” — ka shkruar njoftimi i KF Rahoveci 1931 me rastin e prezantimit të timonierit të ri të skuadrës.
Stinorin e kaluar 2022/23 KF Rahoveci e përfundoi në pozitën e gjashtë të renditjes tabelare në Ligën e Parë — Grupi A, duke regjistruar nëntë fitore, gjashtë barazime dhe 12 humbje, ku tuboi 33 pikë.◼️