KOSOVA 0-1 GREQIA
Greqia ilaç për Kosovën
5 June, 2022 @22:41
Nuk ka të kaluar as pas pesë ndeshjeve. Kosova përsëri nuk ka arritur që të bëj diçka më shumë ndaj Greqisë, përkundër se luajti ndeshjen e pestë ndaj tyre në tri vitet e fundit!
Me një paraqitje solide dhe lojë plotësisht kolektive, Greqia ka arritur të marrë trepikëshin e dytë me radhë nën drejtimin e Gustavo Poyetit, për të shënuar fitoren e dytë në grup, ndërsa ka mposhtur Kosovën 0-1 në mes të Prishtinës [Tasos Bakasetas 36].
Grekët marrin lidershipin e pastër në grup, ndërsa Alain Giresse ka pësuar për herë të parë me Kosovën në një ndeshje, duke dalë kokulur në përballje ndaj helenëve.
Paraqitje shumë e dobët e Kosovës, derisa fundi i ndeshjes gjeti ekipin me dy lojtarë më pak në fushë pasi që Fidan Aliti mori dy të verdha, e Aro Muric mori të kuqin direkt për të mbyllë dëshpërimin në Fadil Vokrri me humbje, fatmirësisht minimale 0-1.
Sa i përket lojës në përgjithësi, e tëra që tregoi Kosova ishin në minutat e para të ndeshjes me një rast të mirë të Arbër Zenelit, që u mbrojt nga portieri Odisseas Vlachodimos dhe një tentim i Vedat Muriqit. Krejt ishte kaq. Pas kësaj, ndonjë depërtim i zakonshëm i Edon Zhegrovës, që s’gjente asgjë - derisa grekët prej se marrin kontrollin e lojës rreth minutës së 15 të takimit, më nuk lanë frymëmarrje të rehatshme për Dardanët - dhe arritën te fitorja me një goditje të bukur të Tasos Bakasetasit, që gjeti këndin e Muricit, derisa kishte pranuar asistim nga Petros Mantalos (36).
Në pjesë të dytë, shpresohej për më shumë, por asgjë. Greqia përsëri dominuese në posedim dhe lojën e kishte plotësisht nën kontroll, derisa Kosova dukej se ishte pa tru në mes të fushës dhe me disa topa të gjatë tentoheshin të gjeheshin krahët ose Muriqi, për të nisur dicka në sulm - që s’bëhej assesi.