GREQIA - KOSOVA
Greqia, kala e pamposhtshme për Kosovën
12 June, 2022 @22:28
Edhe pas 6 ndeshjeve të zhvilluara, Kosova nuk ka arritur të mposhtë Greqinë dhe me një humbje 2-0 sonte, ka humbur edhe gjasat për të kërkuar vendin e parë në grup.
Greqia mposhti Kosovën 2-0 [G.Giakoumakis 71’, P.Mantalos 90+9’] me një ndeshje të dominuar plotësisht dhe në të gjitha aspektet, derisa Kosova nuk shfaqi asgjë edhe pse kishte mungesa të theksuara.
Sa i përket pjesës së parë të ndeshjes, Greqia dominoi plotësisht, duke pasur edhe raste, por vetëm falë fatit dhe Amir Rrahmanit kapiten, Kosova shpëtoi me 0-0.
Pjesa e dytë, sikurse e para, ishte krejtësisht në të mirë të grekëve, derisa zëvendësuesi Mantalos asistoi për Giakoumakisin për golin e parë, ndërsa krejt në fund, kur Kosova tentonte barazimin, ata shënuan në portë të zbrazët përmes Mantalosit për përfundimtaren 2-0.
Me këtë, Greqia e Gustavo Poyetit, mbetet pa gol të pranuar ende, pas 4 ndeshjeve, derisa Kosova tashmë me 2 humbje, do të kërkojë mbijetesën në Ligën C të Kombeve.
Pas kësaj ndeshjeje, Kosovën e presin edhe dy duele, ndaj veriirlandezëve si mysafir dhe qipriotëve brenda në shtator.
Greqia me këtë fitore siguron Ligën B të Kombeve në edicionin e ardhshëm.