EROS GREZDA
Grezda vendos për Shqipërinë
22 August, 2016 @15:28
Mesfushori i lindur në Gjakovë, Eros Grezda, ka vendosur që të përfaqësojë ekipin kuqezi të Shqipërisë.
Ai nuk e ka ndjekur rrugën e futbollistëve si Milot Rashica, Alban Meha e Herolind Shala, të cilët kishin vendosur më parë që ta pranojnë ftesën e Kosovës, për ta lënë Shqipërinë.
Grezda, në intervistën e tij për Panorama Sport, ka dhënë sqarime në lidhje me vendimin e tij.
“E kam marrë me kohë vendimin. Kam thënë që do të luajë me Shqipërinë dhe i qëndroj kësaj fjale që kam thënë. Kam pasur kontakte me trajnerin Bunjaku dhe ia kam bërë të ditur vendimin tim,” ka thënë ai, duke ia mbyllur dyert kështu përfaqësueses së Kosovës.
Grezda aktualisht luan për ekipin U21 të Shqipërisë dhe shpreson që shumë shpejtë të bëhet edhe pjesë e ekipit A të kuqezinjëve.
21 vjeçari po luan me sukses te skuadra kroate, Lokomotiva Zagreb.