PARA NDESHJES GJYSMËFINALE

Guardiola tregohet modest, gjithçka e hapur
27 April, 2016 @13:38
I pyetur nga gazetarët para ndeshjes ndaj Atleticos, Pep Guardiola u shpreh:
“Jemi të lumtur që jemi në gjysmëfinale dhe tashmë të gjitha skuadrat janë të forta. Atletico padyshim se është në kategorinë e Realit e Barcelonës dhe sidomos ata janë edhe më të mirë në përballje me skuadra të forta. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe ne do të japim maksimumin që të arrijmë në finale.
Jerome Boateng ka udhëtuar me ne mirëpo do të vendosim para ndeshjes nëse do të luajë apo jo. Paraqitja e tij mbetet në dyshim. Është një nga mbrojtësit më të mirë në botë dhe përvoja e tij na duhet në ndeshje të tilla.
Atletico janë skuadër e organizuar mirë. Nuk kam luajtur ndaj tyre për afro 5 vite, mirëpo e di që ata mbrohen mirë dhe sulmojnë në mënyrë të shkëlqyeshme. Koke është një mesfushor i shkëlqyer dhe daljet e skuadrës në kundërsulm janë fantastike. Ata po luftojnë për titullin e La Ligas në 3 vitet e fundit dhe për t’i mposhtur padyshim se duhet të jemi të përgatitur maksimalisht.
Në 3 vitet e fundit kemi arritur 3 herë në gjysmëfinale, por e di se çfarë do të thonë njerëzit nëse unë largohem nga këtu pa e fituar Champions Leaguen. Gjithsesi, jam një njeri dhe trajner më i mirë e më i relaksuar që nga ardhja ime në Gjermani. Përvoja që fitova këtu është fantastike.”
Bavarezët janë të pamposhtur në 11 takimet e fundit, nga të cilat i kanë fituar 9. Sonte ata do të vuajnë mungesat e gjermanit Badstuber dhe holandezit Arjen Robben. Në dyshim janë Boateng dhe Rode.