LIDER

Hajvalia, e pandalshme
12 September, 2014 @17:53
Skuadra e Sunaj Keçit, Hajvalia, është ndezur në 11 minutat e fundit të takimit në stadiumin e Ferizajit për të arritur të shënojë fitoren e katërt në Superligë dhe për të ruajtur pozitën e liderit.
Ferizaji priste të shënonte gol nga një gjuajte e lirë shumë afër 16 metërshit, por nga kundërsulmi ata pësuan në minutën e 79-të kur Genc Hamiti u tregua i pakapshëm pas disa kombinimeve të bukura dhe të shpejta të ekipit nga Kishnica e Prishtinës.
Më pas, derisa Ferizaji morri nismën për iniciativë, Hajvalia ndëshkoi edhe njëherë kur Enis Zabërxha asistoi për Semir Zenelin, që shënoi për 0-2.
Zeneli, pas golit u ndëshkua me të verdhën e dytë pasi që hoqi fanellën pas golit të shënuar, ndërsa Genc Hamiti pas një kundërsulmi tjetër ka arritur të shënojë edhe golin e tretë për ekipin e tij dhe të dytin personal për fitoren e madhe 0-3 të Hajvalisë në Ferizaj.
Hajvalia tash ka 4 fitore nga 5 xhirot e para të Superligës dhe me 13 pikë, mban lidershipin. Ferizaji në anan tjetër, vazhdon të përballet me probleme financiare dhe nuk duket të ketë gjallëri aty, përkundër se djelmoshat e Naim Sojevës luftuan deri në pranim të golit të parë.
REZULTATET, TABELA DHE NDESHJET E RADHËS