TELASHE PËR VAN GAAL

REUTERS/Arkiv
Manchesteri pa Jonesin
12 September, 2014 @17:11
Qendërmbrojtësi anglez i Manchester Unitedit, Phil Jones, do t’i mungojë ekipit të tij për afro një muaj.
Lëndimi i tij në ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Anglisë, ku përfaqësuesja e tij fitoi 0-2 ndaj helvetëve, doli të jetë më serioz sesa që parashikohej në fillim dhe sot trajneri i Djajve të Kuq, Louis Van Gaal, ka konfirmuar se Jones nuk do të jetë në dispozicion të tij.
“Phil është lënduar. Ai do të jetë jashtë fushave për tre javë ose një muaj,” ka thënë holandezi Van Gaal, transmetojnë mediat britanike.
Van Gaal ende nuk ka shijuar fitore me Manchester Unitedin në ligë. Në tre xhirot e para, rekord kampioni i Premier League, ka regjistruar 2 barazime dhe një disfatë.
Manchester United këtë të diel ndeshet me Queens Park Rangers në Old Trafford ku do të kërkojë fitoren e parë të stinorit me transferët e fundit, Angel Di Maria dhe Radamel Falcao - ku ky i fundit pritet të debutojë.