GOLEADA

Hajvalia fiton goleadën ndaj Trepçës’89
22 March, 2015 @14:37
Hajvalia ka arritur të shënojë fitoren e dytë me radhë në Superligë.
Fillimi i ndeshjes ishte një futboll për gurmanë. E nisin mitrovicasit me gol, përmes Kreshnik Lushtakut, por ekipi i Ismet Munishit rikthehet furrishëm duke shënuar tre herë në portën e nënkampionit, përmes Semir Zenelit dhe Arbër Prekazit.
Sidoqoftë, Berat Hyseni përkujdeset për ekipin e Fahredin Durakut që të shkojë në pushim me disavantazh minimal.
Ekipi i Ismet Munishit ka arritur të rikthehet në ndeshje pas disavantazhit të hershëm, për ta fituar atë në fund.
Trepça’89 kishte mundësi ideale për të barazuar nga penalltia, por Ilir Avdyli mbrojti tentimin e mitrovicasve të shutuar nga Ibrahim Peci, që dështoi për herë të dytë në pranverë nga pika e bardhë.
Në fund, pas krosimit të bukur të Semir Zenelit, sulmuesi i Hajvalisë, Fillim Guraziu gjen përfundimisht rrjetën e Trepçës’89 për të fituar 4-2 në fund.
Hajvalia vazhdon të kërkojë kreun e tabelës në Superligë me këtë fitore, derisa Trepça’89 pëson goditjen e dytë në pranverë me këtë humbje.