BUBA
Hasani largohet nga përfaqësuesja e Maqedonisë
23 May, 2016 @20:35
Futbollisti shqiptar i përfaqësueses së Maqedonisë, Ferhan Hasani, nuk do të luajë në dy ndeshjet e radhës miqësore, megjithëse ishte ftuar nga përzgjedhësi Igor Angelovski.
Kapiteni i Shkëndijës është larguar nga përfaqësuesja pas marrëveshjes së dyanshme me shtabin teknik, për shkak të faktit se vetëm sa është kthyer nga lëndimi serioz, që e kishte lënë atë një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta.
Futbollisti i njohur me nofkën “Buba”, kishte këputur ligamentet në tetor të vitit të kaluar në ndeshjen Maqedonia-Ukraina, duke mbetur kështu rreth 8 muaj larg futbollit.
Përveç Hasanit, për dy miqësore e Maqedonisë që do të luhen kundër Azerbejxhanit dhe Iranit, janë ftuar edhe futbollistët e tjerë shqiptar si Leonard Zhuta (Rijeka), Egzon Bejtullahi (Shkëndija) dhe Enis Bardhi (Ujpest).
Përndryshe, Maqedonia është kundërshtare e Shqipërisë në kualifikimet për Kampionat Botëror dhe pikërisht Shqipëri-Maqedoni do të jetë ndeshja e parë e këtyre kualifikimeve.