DUKAGJINI 3-2 LLAPI
Hat-tricku i Altin Merlakut, afron Dukagjinin te shpëtimi
15 May, 2022 @18:36
Në shtatë ndeshjet e fundit, fitorja e gjashtë për Dukagjinin në formë, ndërsa sot u përkujdes ylli lokal i ekipit, Altin Merlaku.
Merlaku ka shënuar hat-trick në fitoren e ekipit të tij ndaj Llapit, për të mbajtur gjallë shpresat për shpëtim të stinorit pa ndeshje barazhi si dhe për ta afruar shpëtimin, tashmë në një pikë që i duhet klinasve të drejtuar nga Armend Dallku.
E vetë Merlaku ka sjellë perla golash në këtë përballje, derisa Llapi ka luajtur me ekip të përgjysmuar, ku Tahir Batatina i ka dhënë rast lojtarëve që zakonisht nuk janë pjesë e 11-shes startuese të ekipit nga Podujeva.
Kështu, pas barazimit në pjesë të parë, dy golat e shpejtë të Merlakut në pjesë të dytë kanë siguruar fitoren e klinasve, ndërsa Llapi ka shënuar edhe njëherë sa për përfundimtaren, Dukagjini 3-2 Llapi [Altin Merlaku 13, 52, 57 - Dardan Jashari 37, Valmir Veliu 62], pasi që deri në fund të ndeshjes më nuk kishte gola.
Dukagjini në xhiron e fundit shkon në duel direkt mbijetese ndaj Malishevës në Liman Gegaj, ku do të kërkojë së paku një pikë, ndërsa Llapi pret Prishtinën, ku këta të fundit varësisht nga rezultatet tjera, në rast të mosfitores, mund të mbesin në barazh!
Për tu përmendur, në këtë ndeshje është përshëndetur nga KF Dukagjini futbollisti Liridon Palushaj. Ai la futbollin për arsye mërgimi, pasi që tash e tutje sipas njoftimit të klubit nga Klina, do të jetojë në Zvicër.