BERLIN
Hertha emëron trajnerin e katërt të stinorit 2019/20
10 April, 2020 @15:23
Skuadra e Herthës së Berlinit që nuk po kalon kohë të mirë këtë sezon në Bundesligë, dje ka emëruar trajnerin e katërt të stinorit (të tretin me kontratë).
Pas Ante Covicit të shkarkuar në nëntor të vitit të kaluar dhe largimit të papritur të Jurgen Klinsmannit në shkurt, klubin në drejtim të përkohshëm e mori Alex Nouri, që drejtoi skuadrën deri në ndalje të stinorit për shkak të pandemisë.
E dje, skuadra berlineze ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratë me trajnerin Bruno Labbadia.
Drejtori menaxhues i ekipit Michael Preetz ka shpjeguar këtë emërim.
“Ka qenë e qartë se ne verës do të kishim një trajner të ri. Mirëpo, pas situatës së shfaqur kemi menduar të veprojmë tash, ashtu që gjithçka të jetë gati për stinorin e ardhshëm, por pse jo edhe për vazhdimin eventual të stinorit,” ka thënë dikur lojtari i klubit, Preetz.
Labbadia 54 vjeçar do të nis të punojë me klubin e Herthës pas pashkëve, më 13 prill.