Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TË PROMOVUARIT MËSOJNË GRUPET

Hidhet shorti, ekipet që kaluan në Ligë të Parë mësojnë grupet

Hidhet shorti, ekipet që kaluan në Ligë të Parë mësojnë grupet


12 July, 2023 @13:55

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është dashur të hedh short për të përcaktuar se cila nga skuadrat që erdhën prej Ligës së Dytë në Ligën e Parë do të futet në Grupin A e cila në Grupin B.

Kështu, kampionja e Ligës së Dytë, KF Shkëndija e Hajvalisë dhe nënkampionja KF Dinamo nga Ferizaji sot në shortin e tërhequr në zyret e Federatës, nën prani të kryetarit të Komisionit të Garave Abdyl Bellopoja, kanë mësuar se në cilin grup do të luajnë në stinorin 2023/24.

Shkëndija është shortuar të bëjë pjesë në Grupin B të Ligës së Parë, ndërsa Dinamo në Grupin A të Ligës së Parë.

Kujtojmë, të dy skuadrat që kaluan nga Liga e Dytë në Ligën e Parë janë të rajonit që zakonisht luan në Grupin B (Rajoni i Prishtinës dhe Rajoni i Ferizajit). Kështu, FFK është dashur të hedh short për të përcaktuar se cilat skuadra do të luajnë në cilin grup.

Me këtë, është kompletuar edhe dhjetëshja e Grupeve A dhe B të Ligës së Parë për edicionin 2023/24 të garave, ku në Grupin A do të bëjnë pjesë: Trepça’89, Drenica, Trepça, Phoenix, Istogu, Rilindja 1974, Rahoveci, Vëllaznimi, Suhareka dhe tashmë edhe Dinamo.

Ndërkaq në Grupin B të Ligës së Parë garojnë: Ferizaji, Ulpiana, Flamurtari, Ramiz Sadiku, 2 Korriku, Kika, Vllaznia, Vjosa, Vushtrria dhe me sot edhe Shkëndija.

Si Shkëndija, ashtu edhe Dinamo janë debutuese në Ligë të Parë, pasi që  janë ekipe të krijuara së voni dhe kjo është arritja më e madhe e tyre në histori.

“Sot në prani të kryetarit të Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja dhe përfaqësuesve të KF Shkëndija dhe KF Dinamo është bërë tërheqja e shortit sa i përket ndarjes së këtyre dy klubeve në grupet përkatëse të Ligës së Parë për edicionin 2023/24. Pas shortit të tërhequr KF Dinamo do të garojë në Grupin A, derisa KF Shkëndija në Grupin B të Ligës së Parë. Kryetari i Komisionit të Garave u dëshiroi suksese të dyja skuadrave të promovuara në këtë rang të garave, duke uruar që ato do të kenë rrugëtim të suksesshëm edhe në këtë nivel të garave.” — shkroi FFK në njoftim.◼️


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë