TOVËRLANI - PAS NDESHJES
Humbëm rastet
13 March, 2016 @15:58
Trajneri i ri në bankën e Ferronikelit, Afrim Tovërlani, përjetoi humbjen e parë në Superligë sot me ekipin e tij të ri.
Ekipi i tij u mposht nga Besa e Pejës në Shahin Haxhiislami, ndërsa Tovërlani ka thënë se rastet e pashfrytëzuara kanë qenë kritike për lojën e sotme.
“Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Luajtëm si biseduam para ndeshjes. Shënuam, kaluam në epërsi dhe nuk arritëm ta dyfishojmë atë përkundër rasteve. Pastaj Besa shënoi dy herë, të dytin pas gabimit tonë, dhe pasuan zhagitjet e ndeshjes që përcaktuan në fund edhe rezultatin e takimit,” ka thënë Tovërlani për mediat pas ndeshjes.
“Mungesa e dy lojtarëve më të mirë Behar Maliqi dhe Mentor Zhdrella ka qenë evidente. Por ne duhet të luftojmë kështu me lojtarë që kemi, edhe lëndimet janë pjesë e lojës,” ka shtuar “Toki” në fund.
Ferronikeli me këtë humbje ka rënë nga pozita e liderit në vend të tretë të klasifikimit.