KOSOVA - JORDANIA
Humbje edhe nga Jordania, e katërta rresht
10 November, 2021 @19:52
Në ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit (të përkohshëm) Primozh Gliha, Kosova është mposhtur nga Jordania. Ndeshja në fjalë ishte miqësore dhe në fund u mbyll me rezultat 0-2 për mysafirët. Njëkohësisht, kjo ishte humbja e katërt me radhë për Kosovën në përgjithësi.
Ndonëse Kosova kishte më shumë posedim të topit dhe ishte pak më e rrezikshme, të vetmit që shënuan në pjesën e parë ishin mysafirët. Goditjen e futbollistit Baha Faisal në minutën e 18’, faza mbrojtëse e Kosovës e devijoi dhe topi përfundoi mbi Aro Muriqin e më pas në rrjetë.
Pas golit të pësuar, Kosova rrezikoi seriozisht me goditjet e Valon Berishës (24’) e Vedat Muriqit (26’), por porta mysafire mbeti e paprekur dhe skuadrat shkuan në pushim pranë rezultatit 0-1.
Në pjesën e dytë, Kosova kaloi nga formacioni 3-5-2 në atë 4-2-3-1 dhe tentoi të ishte më produktive, por krijimi i rasteve konkrete për shënim mungoi. Rastin më të mirë në pjesën e dytë e pati Vedat Muriqi, i cili e qëlloi shtyllën në minutën e 46’ pas një goditje më kokë, e përveç këtij rasti serioz, rastet tjera të Kosovës ishin kryesisht gjysëm-raste.
Përkundër trysnisë së Kosovës për gjetjen e barazimit, ata që shënuan ishin mysafirët nga Jordania. Në minutën e 85’, një pakujdësi të Mërgim Vojvodës e shfrytëzoi futbollisti Al Daradreh, i cili shënoi për përfundimtaren 0-2.
Në kohën shtesë të ndeshjes, Jordania mbeti me një lojtar më pak në fushë, por kjo nuk luajti rol në epilogun përfundimtar të takimit.
Ndeshjen e fundit për këtë vit kalendarik Kosova e luan më 14 nëntor si mysafire e Greqisë, ndeshje që është e vlefshme për xhiron e fundit në grupin kualifikues drejt Botërorit të Katarit.