LUKSEMBURG - SHQIPËRI
Humbje që s’tolerohet!
4 June, 2017 @20:50
Në miqësoren e zhvilluar pak ditë para ndeshjes kualifikuese ndaj Izraelit, Shqipëria ka pësuar një humbje të turpshme nga përfaqësuesja modeste e Luksemburgut.
Shqipëria pati disa raste për shënim në pjesën e parë, por që në asnjërin prej tyre nuk e gjeti golin, me Kaçen, Lenjanin e Roshin që shpërdoruan mundësi që nuk falen para portës kundërshtare. Mirëpo, për t’u përmendur janë edhe reagimet fantastike të portierit Schon, i cili ia mohoi golin disa herë Kombëtares së Shqipërisë.
Gjithsesi, epërsia e Shqipërisë erdhi përmes Odise Roshit në minutën e 53’. Roshi e shfrytëzoi maksimalisht një pasim shumë të mirë të Elseid Hysajt dhe shënoi për 0-1. Kur u mendua që Shqipëria do të shkonte drejt një fitoreje të lehtë, Luksemburgu e shkaktoi befasinë.
Fillimisht vendasit shënuan për 1-1 pas një gabimi të Kukelit në mbrojtje, ndërsa goli i dytë erdhi nga Margel me kokë, në një tjetër rast ku mbrojtja e Shqipërisë u tregua e pavëmendshme. Më pas, djemtë e De Biasit e tentuan gjetjen e golit të barazimit, mirëpo goli nuk erdhi asnjëherë dhe takimi u mbyll me humbje 2-1.
Kjo humbje është e pesta me radhë për Shqipërinë duke përfshirë edhe miqësoret, kurse nëse i kujtojmë edhe mungesat e Berishës e Agollit ndaj Izraelit, Kombëtaren e pret një udhëtim shumë i vështirë.