PARA NDESHJES: DUKAGJINI-DRITA
Bileta e fundit për Superligë, prehet sot
4 June, 2017 @10:32
Sot përcaktohet anëtari i fundit i Superligës për stinorin 2017/18. Cila skuadër do të arrijë të kompletojë 12-shen e elitës së futbollit kosovar do të mësohet pas ndeshjes që do të zhvillohet në Riza Lushta sot me fillim prej orës 16:00.
Drita, që kreu e nënta Superligën këtë stinor dhe shpëtimin duhet ta kërkojë përmes ndeshjes së barazhit, apo Dukagjini, që përfundoi i katërti në Ligë të Parë, duke e zënë trenin e fundit për rastin përfundimtar për Superligë.
Të dyja ekipet janë treguar optimiste me deklarata ‘për fitore’ në media të ndryshme, ndërsa Riza Lushta në Mitrovicë pritet të jetë e stërmbushur me tifozë të të dyja palëve, por edhe shikues të interesuar për një ndeshje që pritet të dhurojë futboll të bukur.
Drita dhe Dukagjini edhe në stinorin e kaluar kanë qenë pjesë e barazhit. Drita kishte mposhtur Flamurtarin për të mbetur në Superligë. Ndërsa Dukagjini ishte mposhtur nga Drenica, për të kërkuar edhe një rast këtë stinor. Ndeshja do të transmetohet direkt në Supersport.