BARAZHI: DUKAGJINI - DRITA
Shillova vendimtar, Drita qëndron në Superligë
4 June, 2017 @17:51
Atë që dje e bëri Vllaznia e Pozheranit, sot nuk arriti ta bëjë edhe Dukagjini i Klinës.
Në takimin e barazhit ndaj Dritës në Mitrovicë, Dukagjini i Klinës nuk e arriti dot kalimin në Superligë, me gjilanasit që e përmbysën rezultatin.
E para në epërsi kaloi skuadra e Dukagjinit me supergolin e Emanuell Zallajt, mirëpo Drita nuk u dorëzua dhe përmbysjen e arriti me golat e Semir Zenelit dhe Alban Shillovës në pjesën e dytë. Të dy golat e gjilanasve u shënuan me kokë. Fillimisht për 1-1 shënoi Semir Zeneli pas krosimit të Përparim Livorekës, derisa goli i fitores nga Alban Shillova erdhi gjithashtu me kokë. Këtë herë asistues ishte Semir Zeneli, i cili zhvilloi një takim fantastik me një gol dhe një asistim.
Në fakt ndeshja ishte shumë pranë vazhdimeve, mirëpo ishte Shillova ai që shënoi për 1-2 në çastet e fundit të ndeshjes dhe nuk lejoi vazhdime nga 15 minuta, duke ia siguruar kështu Dritës qëndrimin në elitën e futbollit kosovar.
Për t’u përmendur nga takimi është fakti që Dukagjini takimin e mbylli me 10 lojtarë pas përjashtimit të portierit Visar Haxhiaj në minutën e 74’ të takimit, ndërsa më herët nga loja ishte përjashtuar edhe kryetrajneri i Dukagjinit, Severin Elezaj.
Kështu, nga skuadrat e Superligës, Drita mbetet pjesë e elitës së futbollit kosovar, derisa Ferizaji, Hajvalia e Trepça do të garojnë në Ligën e Parë sezonin tjetër. E sa i përket ngjitjes nga Liga e Parë, Flamurtari, Vëllaznimi e Vllaznia janë skuadrat që sezonin tjetër do të garojnë në rangun më të lartë të futbollit kosovar.