Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BLENDI BAFTIU

I kërkuari nga klubet evropiane, i koncentruar në Superligë

Blendi Baftiu gjatë një ndeshjeje me Ballkanin në pjesën vjeshtore të stinorit/ Foto: KFBallkani/fb

I kërkuari nga klubet evropiane, i koncentruar në Superligë


21 May, 2020 @13:17

Futbollisti që u zgjodh në 11-shen më të mirë të stinorit 2018/29 dhe pjesës së parë të stinorit 2019/20 të TopSportit, Blendi Baftiu me 11 golat e tij këtë stinor është vënë në radar të disa ekipeve të huaja.

Emrat e skuadrave nuk janë bërë të ditura zyrtarisht. Por trajneri i skuadrës së Ballkanit Ismet Munishi ka treguar në media se i riu prishtinas që po luan rolin kryesor te ekipi suharekas këtë stinor ka oferta nga Austria e Belgjika.

E në një prononcim të tijin për Kohën ditore vetë mesfushori kreativ 22 vjeçar ka thënë se tash është i koncentruar në Superligë e Kupë, e pas kësaj do të mirret me kërkesat e klubeve tjera.

“Jam i koncentruar të përgatitem për rifillimin e kampionatit për t’i arritur synimet, pra titullin e Kupën, që mundësojnë daljen në Evropë,” ka thënë Baftiu, shkruan sot Koha ditore.

Ai nuk e ka mohuar edhe interesimin e skuadrave nga jashtë, ndërsa ka thënë se nuk do të ngutet sa i përket shqyrtimit të ofertave.

“Ka oferta në adresën time. Jemi duke i shqyrtuar bashkë me menaxherin, trajnerin dhe kryesinë e klubit. Nuk do të ngutem dhe do të marrë vendimin që do të jetë më i miri për karrierën time,” ka thënë ai për gazetën në fjalë sot.

Aventura e Baftiut te Ballkani nisi të dalë në pah në stinorin e kaluar, kur shkëlqeu në pjesë të parë të stinorit, ndërsa deri në fund të saj tregoi lojëra të jashtëzakonshme.

Me disa përforcime shtesë në skuadër, suharekasit tashmë jo vetëm që po thonë fjalën kryesore në Superligë por edhe janë në katërshen më të mirë të Kupës së Kosovës dhe në të dyja frontet, bashkë, po luftojnë për daljen e parë në garat evropiane - por edhe për trofetë e parë në historinë e klubit.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga