KOSOVË - SHQIPËRI
Iliri e meritonte
12 November, 2015 @19:49
Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, i cili për shkak të problemeve me lëndime vazhdon të mbetet larg ekipit kuqezi, i ka dalur në përkrahje ish bashkëlojtarit të tij, Ilir Azemi, me të cilën kishte luajtur te skuadra e Greuther Furthit.
Që të dy këta futbollistë nuk janë ftuar nga përzgjedhësit e ekipeve përkatëse të përfaqësueseve, megjithëse do të mund të ishin përballë njëri tjetrit në fushë në ndeshjen e nesërme vëllazërore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ilir Azemi e meriton me patjetër të ishte në fushën e lojës në këtë miqësore. Madje, do kisha dashur më tepër të ishte Iliri në fushën e lojës, edhe më shumë sesa të isha vetë aty në këtë takim. Iliri meriton vlerësim të paktën duhet të vlerësohet nga njerëzit e vendit tonë, sepse nga ata ku jetojmë dhe punojmë nuk e presin dhe aq! Jam i bindur që të paktën, fanellën e Kosovës Iliri e meriton,” ka shkruar Mavraj në llogarinë e tij në Facebook.
Në artikullin e botuar ditë më parë nga Telegrafi, ishte thënë që Azemi ka marrë ftesë për t’iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës, mirëpo emri i tij nuk ka figuruar në listën e publikuar nga përzgjedhësi Albert Bunjaku.
Azemi që nga muaji gusht i vitit të kaluar nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me ekipin për shkak të aksidentit që kishte pësuar në trafik, ndërsa ka më shumë se një muaj që i ka filluar stërvitjeve me ekipin për t’iu rikthyer formës së dikurshme.
Kosovë🇦🇱 – Shqipëri 🇦🇱Ilir Azemi e meriton me patjetër të ishte në fushën e lojës në këtë miqësore. Madje, do kisha…
Posted by Mergim Mavraj on Thursday, 12 November 2015