IN MEMORIAM
In Memoriam: Agim Maloku
27 June, 2017 @8:33
Njëri ndër punëtorët e dalluar sportiv nga Prizreni dhe ish futbollist, që vite me radhë i kontribuoi sportit të Kosovës, saktësisht futbollit, Agim Maloku, ka ndërruar jetë mbrëmë vonë pas një sëmundjeje të rëndë.
Maloku që së fundi ka punuar si kryetar i rajonit të Prizrenit pranë FFK-së dhe në komisionin e stadiumeve të Kosovës, ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës, FFK-së, që në Hungari vitin e kaluar siguroi anëtarësimin në UEFA.
Maloku ndërroi jetë në moshën 64 vjeçare.
Edhe kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, ka shprehur ngushëllimet e tij përmes një telegrami dërguar familjes së të ndjerit.
Telegram i kreut të FFK-së, Fadil Vokrri
E nderuara familje e Agim Malokut!
Me pikëllim e dhembje e morëm lajmin për vdekjen e Agim Malokut, anëtar shumëvjeçar i KE, ndaj me lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve e futbolldashësve të Kosovës të Ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta me rastin e vdekjes së njeriut që i dha shumë futbollit të Kosovës.
Kontributi i Agim Malokut, ishte i madh dhe i çmueshëm. Ishte shtyllë e fortë e pavarësimit të futbollit të Kosovës dhe nuk u ndalë kurrë deri në frymën e tij të fundit kur sëmundja e rëndë na e mori na mesi ynë, ndaj të gjithë ne do ta kujtojmë përherë figurën dhe veprën e tij dhe për brezat që vijnë do të jetë shembull i njeriut të dashur, punëtorit të vyeshëm, të palodhshëm dhe të papërkulshëm nëpër sfida.
Në këto momente të dhembjes tuaj jemi pranë jush që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurinë tuaj.
Me respekt
Fadil Vokrri, kryetar i FFK-së