TITULLI I NJËZETË PËR NERAZZURRËT!
Inter shton yllin e dytë në logo! Kampion i 20-fishtë i Italisë
22 April, 2024 @22:10
Prej ditës së nesërme, Inter do të mund të ketë edhe yllin e dytë mbi logo të klubit në fanellat e ekipit. Kjo, pasi që me fitore në Derby della Madonnina ndaj Milanit, Inter bëri dallimin e mjaftueshëm në pikë në krye të renditjes tabelare të Serie A-së, ashtu që të sigurojë titullin kampion pesë xhiro para fundit të stinorit.
Inter mposhti Milanin në derbin e madh italian dhe lokal të qytetit të modës, 1-2 [Tomori 80’ - Acerbi 18’, Thuram 49’] për të festuar në fund titullin e njëzetë të kampionit të Italisë dhe për të dalë me një titull më shumë sesa Milani, që mbetet në 19! Kristjan Asllani luajti në 10 minutëshin e fundit të ndeshjes te Interi, duke zëvendëusuar Hakan Çalhanoglun.
Sa i përket duelit, Inter me epërsinë e hershme krijoi rehati në lojën e vetë, ndërsa Milan nuk arriti asnjëherë t’i kundërpërgjigjet konkretisht në rezultat. E fillimi i pjesës së dytë dhe goli i Marcus Thuramit shuan shpresat e rossonerëve së paku për të ndalë kundërshtarin lokal që të mos festojë në derbi. Presioni në 10 minutat e fundit i rossonerëve dha një gol, por jo sa për të arritur barazimin dhe për të mos lejuar festën e nerazzurrëve sonte.
Në momentet e fundit u vërejt edhe nervoza te lojtarët vendas, që në grindje me kundërshtarin festues u shpërndanë tre kartonë të kuq. Së pari u përjashtua Theo Hernandez i Milanit pas kacafytjes me Denzel Dumfriesin (edhe holandezi u përjashtua). Ndërsa krejt në fund, edhe mbrojtësi Davide Calabria mori të kuq, njëjtë për grindje.
Titulli i 20. për Interin vjen pas dy stinorësh pritjeje, pasi që në stinorin e kaluar fitoi Napoli e një para atyre, Milan.
Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të stinorit, Inter ka 17 pikë më shumë sesa ndjekësi i parë i tyre, Milan. Nerazzurrët kanë tash 86 pikë, karshi 69 të rossonerëve.