Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SELEKTOR I RI TE U-19 E KOMBËTARES SHQIPTARE

Ish-trajneri i Lirisë dhe Ballkanit, merr drejtimin e Shqipërisë U-19

Foto: FSHF

Ish-trajneri i Lirisë dhe Ballkanit, merr drejtimin e Shqipërisë U-19


1 February, 2024 @11:09

Trajneri i dikurshëm i Lirisë së Prizrenit dhe Ballkanit të Suharekës, Bledi Shkëmbi, është emëruar përzgjedhës i Shqipërisë U-19. Njoftimin e ka bërë të ditur sot Federata e Futbollit të Shqipërisë (FSHF), ndërsa korçari Shkëmbi do të zëvendësojë në këtë post Ervin Bulkun.

Ky i fundit do t’i bashkohet ekipit të trajnerëve të kombëtares A dhe do të punojë bashkë me Sylvinhon dhe stafin e tij për të përgatitur sa më mirë kuqezinjtë për EURO 2024 dhe Ligën e radhës të Kombeve që nis në shtator.

Shkëmbi 44 vjeçar përgjatë karrierës së tij si lojtar ka luajtur 14 herë për Shqipërinë, ndërsa pos Lirisë e Ballkanit në Superligën e Kosovës ka drejtuar edhe Teutën e Durrësit dhe Dinamon e Tiranës në Superioren e Shqipërisë.

Bledi Shkembi

Duke folur për fshf.org, Bledi Shkëmbi tha që të drejtojë ekipin Kombëtar U-19 është një ëndërr e bërë realitet.

“Të drejtosh një Kombëtare është një kënaqësi, është një ëndërr. Për të qenë i sinqertë e kam pasur gjithmonë ëndërr, ashtu siç e kanë lojtarët ashtu e kemi edhe ne trajnerët ëndërr të stërvisim ekipin Kombëtar pavarësisht moshës që është. Patjetër që dua të falenderoj Drejtorin Teknik i cili më bëri këtë ofertë dhe sinqerisht mu plotësua një ëndërr që shpresoj ta vazhdojë gjatë”, – u shpreh fillimisht trajneri Shkëmbi.

Më tej, ai vlerësoi ndryshimin e madh që ka pësuar FSHF dhe futbolli shqiptar, veçanërisht në infrastrukturë duke krahasur kohën kur ai ka përfaqësuar ekipin Kombëtar si futbollist.

“Përsa i përket pjesës së ndryshimit mendoj që është si nata me ditën, në çdo aspekt që nga mënyra e stërvitjes, nga mënyra se si punohet dhe nga ngritja e një administrate të madhe futbolli. Unë me të vërtetë kisha dëgjuar nga jashtë por tani nga brenda po e shikoj dhe ndjejë kënaqësi që jam në të njëjtën anije me këtë grup të madh e të suksesshëm, sepse po shikoj që Kombëtarja jonë po korr sukses edhe ne shpresojmë që futbolli i moshave të ndjek hapat e Kombëtares së madhe.” – ndër të tjera, tha ai.

 


 
Të gjitha lajmet nga FSHF Kategoria Superiore