I TALENTUARI NËNSHKRUAN PËR TIRANASIT
Perla e Gjilanit zyrtarizohet te Partizani
8 January, 2024 @22:05
Njëri ndër lojtarët më perspektivët në futbollin e Kosovës dhe pjesë e kombëtares së Kosovës U21, Redon Ismaili është zyrtarizuar si lojtar i ri i Partizanit të Tiranës.
Ekipi i kryeqytetit të Shqipërisë ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me mesfushorin 21 vjeçar, ndërsa gjithashtu ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratë 2+1 vjeçare me lojtarin.
“Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me Redon Ismailin. Mesfushori 21 vjeçar, i cili sëfundmi ishte pjesë e Gjilanit, ka firmosur me kampionët një kontratë dyvjeçare, me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Ismaili pjestar i përfaqësueses U-21 të Kosovës i është bashkuar ekipit në fazën përgatitore që po zhvillohet në Antalia të Turqisë.” - shkroi KF Partizani në njoftim.
Ndërkaq Gjilani falenderoi futbollistin e dalë nga akademia që ka qenë ndër më të mirët e ekipit këtë stinor.
“Sport Club Gjilani njofton që ka përfunduar bashkëpunimin me futbollistin Redon Ismaili.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme tani e një kohë të gjatë dhe dëshirës për të vijuar bashkëpunimin edhe për shumë vite të tjera, futbollisti Ismaili ka vendosur që të marrë një rrugë të re për karrierën e tij futbollistike.
Sport Club Gjilani falenderon publikisht Ismailin për kontributin e dhënë gjatë viteve sa ishte pjesë e klubit dhe i uron shumë suksese në vazhdimësinë e tij.
Ismaili është futbollist i dalë nga akademia e klubit dhe njëherit ndër futbollistët e parë për të cilët u ishte ofruar kontrata profesionale nga ekipi i të rinjëve.”
Ismaili vlerësohet rreth 200 mijë euro nga Transfermarkt. Ai ka shënuar një gol dhe ka asistuar tre herë për ekipin e tij në Superligë këtë stinor.