ERGYS KAÇE
Kaçe përgënjeshtron mediat shqiptare
11 October, 2016 @14:28
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, i ka përgënjeshtruar mediat të cilat sot kanë publikuar lajme kinse futbollisti nuk do të luajë më për kombëtaren, pasi në ndeshjen e fundit kundër Spanjës, përzgjedhësi Gianni De Biasi vendosi ta lë atë në tribunë.
Kaçe nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka thënë se këta lajme nuk janë aspak të vërteta, derisa konfirmoi edhe njëherë që do t’i mbetet gjithmonë besnik ngjyrave kuqezi.
Më poshtë, mund ta lexoni shkrimin e plotë të publikuar nga futbollisti…
“Dua të përgenjeshtroj një lajm të nxjerrë nga mediat për largimin tim nga kombëtarja shqiptare si shkak i mospërputhjes me tranjerin tonë Gianni De Biasi…
Ky lajm nuk është aspak i vërtetë!
Unë nuk do të largohesha kurrë nga kombëtarja shqiptare për asnjë lloj arsyeje. Unë në kombëtaren shqiptare kam ardhur me një dëshirë të plotë dhe kurrsesi s’do të doja largimin nga kombëtarja ime. Për ekipin tonë kombëtar kam ndenjur edhe në stol, edhe në tribunë, por edhe në formacion dhe kam respektuar gjithmonë zgjedhjet e trajnerit.
Shqipëria ose kombëtarja shqiptare është prejardhja ime, është atdheu im. Pavarësisht se unë jam rritur në një shtet tjetër, nuk e kam mohuar kurrë atdheun tim dhe jam shumë krenar që jam shqiptar.
Theksoj për “lajmet fallco” dhe të pavërteta, që unë si Ergys Kaçe, jam i lumtur në çdo moment kur KOMBI im fiton pavarësisht a jam në stol, në tribunë, apo në formacion.
Shqipëria mbi të gjitha.
Me respekt, Ergys Kaçe.”