ALBION RRAHMANI HAT-TRICK
Kampioni merr kryesimin me fitore në goleadë
11 February, 2023 @19:13
Ballkani ka arritur fitore në hapje të stinorit pranveor duke e mposhtur Malishevën në Liman Gegaj, ndërsa ish-lojtari i Malishevës Albion Rrahmani ka qenë njeriu kryesor te Ballkani, duke shënuar hat-trick në pjesë të parë.
Mirëpo, ky hat-trick i Rrahmanit nuk kreu punë për suharekasit. Ata u desht të këndellen vonë në ndeshje, pasi që në pjesë të dytë Malisheva bëri rezultatin 2-3, pas golit nga penalltia të Ilir Mustafës dhe goditjes së bukur të Drilon Hazrollajt, që jashtë 16-shes me të majtën bllokoi Stivi Frashërin për të minimizuar epërsinë tregolëshe.
Pasoi edhe një tentim tepër i mirë i Malishevës së drejtuar nga Bylbyl Sokoli që debutoi në Superligë si trajner i tyre, pas kornerit “dhjetëshja” e Malishevës , Agron Bruqi, qëlloi shtyllën kur goditi me kokë.
Mirëpo, më pas reagoi Ilir Daja duke futur në lojë Veton Tushën. Ky i fundit në një top të rrëmbyer nga mbrojtja, me mundin e Albin Berishës që “vodhi” topin dhe asistoi, u gjend menjëherë në zonë dhe pas prekjes së parë të topit shënoi për vulosjen e fitores, Malisheva 2-4 Ballkani [Ilir Mustafa 69pen., Drilon Hazrollaj 74 - Albion Rrahmani 28, 42, 45+2, Veton Tusha 82].
Me fitore, Ballkani del në krye të renditjes me 41 pikë nga 19 ndeshje dhe nëse nuk arrin fitore Drita nesër, atëherë do të qëndrojnë në krye të renditjes. Malisheva në anën tjetër në zonën e rënies tregoi luftë, por jo të mjaftueshme për të befasuar përfundimisht kampionët dhe pas 19 ndeshjeve mbesin në 19 pikë.