Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRISHTINA - BALLKANI

Kampioni s’dorëzohet, merr barazim dramatik ndaj Prishtinës

Foto: FC Prishtina

Kampioni s’dorëzohet, merr barazim dramatik ndaj Prishtinës


5 March, 2023 @15:02

Në “Sami Kelmendi” të Lipjanit, Prishtina dhe Ballkani barazuan mes tyre pas një takimi që pati një fund dramatik, ndonëse vendasit kishin epërsi të dyfishtë dhe dukej se po shkonin drejt një fitoreje të sigurtë.

Ndaj ish-skuadrës së tij trajneri Ismet Munishi ishte shumë pranë fitores, por një penallti e akorduar në minutat shtesë bëri që Ballkani ta barazonte takimin në 2-2 (Bujar Pllana 51’, Endrit Krasniqi 61’ / Nazmi Gripshi 80’, Albion Rrahmani 90+9’), për ta marrë kështu një pikë nga ky takim, e cila mund të jetë shumë e vlefshme në garën për titullin kampion.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërkohë rasti më i miri në këtë pjesë u shfaq për Nazmi Gripshin, i cili e goditi shtyllën në minutën e 40’.

TABELA AKTUALE

Rezultati u zhbllokua në minutën e 51’, kur Bujar Pllana i Prishtinës shënoi me kokë pas krosimit nga Endrit Krasniqi.

Dhjetë minuta më vonë, erdhi goli i dytë i Prishtinës. Kësaj here shënoi Endrit Krasniqi, i shërbyer nga Leotrim Kryeziu, dhe kështu Prishtina e dyfishoi epërsinë.

Në minutën e 80’, Nazmi Gripshi me një supergol e ngushtoi rezultatin në 2-1, për t’i dhënë shpresë Ballkanit. E kampioni nuk u dorëzua deri në fund dhe në minutat shtesë të takimit arriti ta fitonte një penallti, e cila u akordua me ndihmën e sistemit VAR. Nga pika e bardhë i saktë u tregua Albion Rrahmani dhe kështu ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë 2-2.

Për momentin, Prishtina është e katërta në renditje, kurse Ballkani mbetet edhe më tutje lider, mirëpo Drita tash është vetëm 2 pikë larg.

Xhiron që vjen, Prishtina i shkon Gjilanit, kurse Ballkani e pret Dritën në kryendeshjen e javës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga