Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLON d'OR 2022

Karim Benzema, Topi i Artë 2022

Karim Benzema, Topi i Artë 2022


17 October, 2022 @22:18

Sulmuesi i Real Madridit dhe i Francës, Karim Benzema, është edhe zyrtarisht Topi i Artë i vitit 2022 shpërblim ky që ipet nga France Football tashmë mbi gjysmë-shekulli, saktësisht 66 vite, për futbollistin më të mirë të sezonit/vitit përkatës.

Golat që çuan Realin drejt trofeve

Paraqitjet e tij fantastike me Real Madridin në stinorin e kaluar, që po vazhdojnë edhe këtë sezon kanë qenë vendimtare në votat e fituara të Benzemasë, derisa ekipi nuk llogaritej nga shumëkush - e ky me aftësitë e tij individuale shënonte për ta dërguar ekipin mbretëror drejt trofeut të Ligës së Kampionëve, si dhe të titullit kampion të Spanjës.

Njëkohësisht, ai iu kthye edhe pas shumë kohësh reprezentacionit të Francës, ndërsa tashmë rreth një muaj para Botërorit 2022 në Katar, Franca është ndër TOP-3 favoritet për ta fituar Kampionatin Botëror!

Francezi i pestë në histori që e fiton Topin e Artë

Benzema pranoi çmimin nga Topi i Artë i vitit 1998 Zinedine Zidane, duke u bërë francezi i parë që e fiton këtë çmim pas tij, ndërsa i pesti francez në historinë 66-vjeçare të këtij trofeu prestigjioz futbollistik. Para Benzemasë Topin e Artë e kanë fituar Raymond Kopa, Michel Platini, Jean-Pierre Papin dhe Zinedine Zidane.

Pas Benzemasë, në TOP-5 më të mirët e Topit të Artë të vitit 2022 u renditën, 2. Sadio Mane, 3. Kevin de Bruyne, 4. Robert Lewandowski dhe 5. Mohamed Salah.

Fituesit tjerë

Portieri më i mirë me çmimin Yachine u shpall belgu i Real Madridit Thibaut Courtois, ndërsa lojtari më i mirë i ri u bë spanjolli i Barcelonës, Gavi. Futbollistja më e mirë u shpall spanjollja Alexis Putellas e Barcelonës, ndërsa çmimet e reja të France Football, të krijuara sivjet, Socrates (trofe që i ipet futbollistit për iniciativën më të mirë sociale të vitit) e meritoi Sadio Mane, kurse Gerd Muller (për golashënuesin më të mirë të vitit me klub e kombëtare) e dëshmoi Robert Lewandowski. Klubi më i mirë i vitit u shpall Manchester City.


 
Të gjitha lajmet nga Champions League