Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORJA E DYTË E ELEKRICISTËVE

KEK ia shkakton humbjen e radhës 2 Korrikut

Foto: 2korriku.com

KEK ia shkakton humbjen e radhës 2 Korrikut


Teksti: 2korriku.com

14 September, 2024 @22:18

Ndeshja e javës së katërt në Raiffeisen Ligën e Parë të futbollit në Kosovë, konkretisht në grupin “B” të saj, ajo në mes 2 Korriku dhe KEK-ut është mbyllur me rezultat të pastër 0-2, në të mirë të “elektricistëve”.

Verdh’ e blutë e kryeqytetit nuk e kanë arritur as sot fitoren e parë në edicionin e ri futbollistik, duke treguar sërish paraqitje të zbehtë, e cila nuk kishte shumë dallim nga ajo e fundit në Lipjan kundër Vjosës.

Ndeshjen e vendosën golat e Arbnor Shalës në minutën e 40-të dhe të sulmuesit të huaj Alisson në minutën e 73-të. Në fakt KEK-u lehtë mund ta thellonte epërsinë, sidomos pas gabimeve të njëpasnjëshme që 2 Korriku i bëri në pjesën defanzive, por futbollistët e ekipit nga Obiliqi nuk arritën ta tundin rrjetën e Ajetit, portierit vendës, për të cilin lirshëm mund të thuhet se është i vetmi që ka qenë në krye të detyrës për skuadrën kryeqytetase në këtë fillim kampionati.

Takimi i zhvilluar në stadiumin “2 Korriku”, i gjykuar për mrekulli nga gjyqtari shumë premtues, Arianit Salihu, u fitua me plot meritë nga ekipi mysafir, që ishte shumë më i rrezikshëm gjatë të gjithë takimit, ani pse në pjesën e parë pati disa gjysmë-raste për 2 Korrikun, të cilat më shumë erdhën si rrjedhojë e pakujdesive në mbrojtjen e KEK-ut sesa për meritë të futbollistëve vendës.

Lajmi i vetëm pozitiv nga kjo ndeshje për 2 Korrikun ishte rikthimi nga lëndimi i mbrojtësit Andi Namoni, i cili pas më shumë se gjashtë muajsh iu rikthye ndeshjeve zyrtare, pas lëndimit të rëndë që pësoi në gjurin e djathtë në ndeshjen e zhvilluar në muajin Shkurt kundër Vushtrrisë.

Mes tjerash, 2 Korriku mbetet skuadra e vetme me vetëm një pikë të fituar në rangun e dytë të garave të futbollit kosovar, dhe zbret në pozitën e nëntë në renditjen tabelare.

Java e radhës për ekipin nga kryeqyteti sjell ndeshjen me Kikën në Hogosht e cila zhvillohet të dielën e 22 Shtatorit, për të vazhduar më pas me ndeshjen si vendës ndaj Flamurtarit më 25 Shtator.

KEK
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Katërt

FC 2 Korriku v. KF KEK-u 0-2

Golashënues: Arbnor Shala 40′, Matheus Alisson O. D. S. 73′

Gjyqtarët e ndeshjes: Arianit Salihu (Lipjan), Valon Mustafa (Podujevë), Diamant Bakaj (Prizren), Lirim Jashari (Prishtinë)

Delegat i ndeshjes: Mentor Baliu (Prishtinë)

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Jakup Musolli (Podujevë)

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Rron Statovci, Nderim Abdullahu, Andi Namoni, Jehon Stublla, Andi Oruqi (C), Camara, Albinot Kozmaqi, Arlind Maqedonci, Ardit Gashi, Pedro Henrique. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Eduardo 46′, Ideal Abdullahu 60′, Redon Bejta 80′, Granit Latifi 80′, Dijon Demolli 80′

Formacioni startues i KEK-ut: Armend Blakçori, Albin Mjeku, Kamer Rudari, Abit Salihu, Jon Miftari, Gzim Berisha, Endrit Hashani, Valgjin Bllaca, Besart Dushi (C), Matheus Alisson O. D. S., Arbnor Shala. Kryetrajner: Enis Nasufi.

U inkuadruan edhe: Torvioll Stullqaku 83′, Bler Thaçi 87′, Rinor Tovërlani 87′, Dardan Sekiraqa 90+2′, Drilon Tejeci 90+2′


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë