EURO 2016
Këshillat e Bogdanit, lojë pa presion
24 February, 2014 @21:05
Njëri ndër sulmuesit e rallë të kombëtares shqiptare që ka shënuar mbi 10 gola për kuqezinjtë, Erion Bogdani, përkundër moshës së tij të shtyer beson se Shqipëria mund të arrijë kualifikimin në EURO 2016.
“I vështirë. Tejet i vështirë, nëse flasim për synime të mëdha. Portugalia dhe Serbia janë të hidhura, pa lënë anash Danimarkën dhe Armeninë. Grupi është më i vështirë sesa ai i kaluar sigurisht, bile s’krahasohen,” ka thënë fillimisht Bogdani për Panorama Sport sot.
Përkundër cilësimeve të tij si të vështirë dhe shumë të vështirë, ai mendon se Shqipëria nuk është pa gjasa për këtë europian.
“Duhet të jemi realistë. Në futboll nuk ka asgjë të ndarë saktësisht, por logjika thotë se nuk është grup i favorshëm për ne. Shqipëria mund të zë pozitën e dytë, por edhe atë të fundit. Nuk është grup i lehtë dhe është grup i rrezikshëm,” ka thënë sulmuesi 36 vjeçar që ka shënuar 14 gola me kuqezinjtë në karrierë të tij.
Rekorderi i kuqezinjëve me paraqitje, 59 sosh, Bogdani, ka qenë golashënues i vetëm i Shqipërisë në ndeshjet e fundit të Shqipërisë me Danimarkën dhe Portugalinë, kur synohej kualifikimi për Kampionatin Botëror Afrika e Jugut 2010.
“Shqipëria duhet të luaj pa presion se duhet të shkojë në Francë. Kuqezinjtë nuk duhet të jenë në presion, sepse në këso raste nuk dimë të menaxhojmë me lojën. Mbi të gjitha duhet të jemi të bashkuar. Ndikohemi nga ajo që na rrethon, derisa mediat duhet ta përkrahin tepër shumë kësaj radhe kombëtaren,” ka thënë mes tjerash ish sulmuesi i shumë skuadrave nga Serie A, Erion Bogdani.
Shqipëria ka rënë në Grupin I kualifikues për EURO 2016, ku është renditur si skuadra më e dobët, pas Portugalisë, Danimarkës, Serbisë dhe Armenisë.
Kuqezinjtë së paku duhet të arrijnë vendin e tretë për të kërkuar shansën në barazh për EURO 2016. Për më tepër, djelmoshat e trajnerit italian, Gianni De Biasi, do të ndeshen edhe dy herë me Francën (14 nëntor 2014 dhe 13 qershor 2015), në javët që i kanë të lira nga Grupi I.
Miqësoret e Shqipërisë ndaj Francës:
14 nëntor 2014 | Franca-SHQIPËRIA | ||
13 qershor 2015 | SHQIPËRIA-Franca |