RASTI NEYMAR
Barça paguan dënimin
24 February, 2014 @20:07
Kampioni i Spanjës, Barcelona, i ka paguar 13.5 milionë euro shtetit duke thënë se nuk i është dhënë asnjë akuzë për shkak të ikjes nga tatimi, por pagesa është bërë për shkak të ‘interpretimeve të ndryshme’ gjatë transferimit të Neymarit, ka shkruar sot në faqen zyrtare të klubit katalonas.
Shuma e saktë e paguar sot nga Barcelona është 13.550.830,56 euro.
Barcelona është detyruar të mbrohet për shkak të sulmeve ndaj saj gjatë transferimit të Neymarit, derisa kryetari i dorëhequr Sandro Rosell, është akuzuar si jotransparent në shpenzimin e fondeve të klubit.
Rosell dha dorëheqje duke thënë se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se po tërhiqet nga detyra e tij për shkak që të mbrohet emri i klubit dhe imazhi.
Pas largimit të Rosellit, Barcelona ka pranuar se transferi i Neymarit në total ka kushtuar 86.2 milionë euro, e jo 57.1 milionë siç u tha në fillim të stinorit.
Gjykatësi i rastit ka kërkuar raportin tatimor të Barcelonës, derisa drejtësia po e llogaritë përqindjen e ikjes nga tatimit të klubit katalonas.