Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

5 PËR VIKEND

Klasikja!

Klasikja!


Shkruan: Luan MORINA

1 April, 2016 @13:18

1. Liverpool – Tottenham (e shtunë, ora 6e30)

Kjo pranverë mund të jetë fillimi i diçkaje të madhe për të dyja ekipet. Liverpooli i Kloppit ka gjetur formën dhe motivimin me fitoren ndaj United. Një sukses në Europa League, dhe fitoret ndaj ekipeve të renditura më lart se ta mund të shërbej për një ndjenjë psikike më superiore para verës që duhet të jetë e bujshme me transferime. Në anën tjetër Tottenham dalëngadalë ka ndërtuar një ekip që prodhon sukses konstant në një ambient të stërngarkuar me futboll siç është Anglia. Janë një grumbull i talentuar dhe mund të sjellin suksese të papritura duke nisur nga ky sezon me titullin eventual. Fitorja e tyre do të shtonte presionin mbi Leicester, edhe e kundërta mund të ndodhte. Për Liverpool liga nuk është diçka që duhet të heqin dorë, pos nëse humbin këtë ndeshje.

2. Leicester – Southampton (e diel, ora 2e30)

Tashti nis sprinti drejt finaleve të majit. Është koha kur Leicester duhet të dëshmoj se janë të denjë për titull. Dhe hapi i parë në këtë drejtim është të nisin me këmbë të mbarë pas kësaj periudhe pushimi. Kjo do të ndihmonte më tepër në aspektin psikik. Gjithashtu shumica e lojtarëve të Leicester kanë nisur të mblidhen me kombëtaret, dhe përvoja nga këto mbledhje mund të jetë shumë pozitive – Kante dhe Vardy kanë qenë të mahnitshëm. Por, mund të rezultoj edhe me lodhje fizike. Në anën tjetër Southampton ka gjetur veten goxha mirë këtë pranverë. Koeman ka riformësuar sulmin tani me Long e Tadic përkrah Pelles, derisa ka heq nevojën vitale për Wanyaman e Manen, të dy drejt largimit në verë. Saints kanë ekip të mirë, por do të preferonin të mbeteshin në mes të tabelës para se të shkonin në Europa League.

3. Monchengladbach – Hertha (e diel, ora 3e30)

Granit Xhaka do të jetë i Arsenalit. Njëri nga mesfushorët defensiv më të mirë në Evropë ka ndjekur rrugën e duhur të karrierës, për dallim nga Shaqiri. Është koha e duhur të lëviz në Arsenal apo cilëndo skuadër tjetër të madhe. Monchengladbachu ka qenë përvojë që ka pjekur së paku fizikisht Xhakën. Akoma është temperament dhe nuk është i panjohur për kartonët e kuq. Ndeshja pritet të jetë një ndeshje tipike gjermane, me të dyja ekipet që pritet të sulmojnë pa rezerva. Të dyja kanë sulmet klasike me dy sulmues, dhe një mesfushë mobile në të dyja anët e fushës. Ndeshje e barabartë, interesante do të duhej të ishte.

4. Lazio – Roma (e diel, ora 3)

Lotito ka bërë një ekip mediokër nga i cili pret të inkasoj rreth 100 milionë euro në shitje këtë verë (Felipe Anderson + Candreva + ato pak talente që ka). Të shohësh Lazion të shpërbëhet në një ekip si Palermo është e dhimbshme, ngjashëm siç ishte kur shihje këtë Romë nën drejtimin e Rudi Garcias. Spalleti nuk ka bërë ndonjë revolucion. Thjeshtë ka bërë atë që çdo trajner i zoti do të bënte me këtë ekip. Po të ishin të mençur, Roma do të mbanin atë për dekadën e ardhshme pasi është njeriu më i duhur për Romën. Të dielën do të jetë ndoshta një prej ditëve të rralla kur Olimpico mbushet si i ka hije. E sa për lojë, Lazio nuk është aq e dobët sa në menaxhim. Veçse Roma është më e mirë.

5. Barcelona – Real Madrid (e shtunë, ora 8e30)

Barcelona ka dominuar viteve të fundit kundër madrilenëve. Jam shumë skeptik që ky Real mund të bëj diçka më ndryshe se formacionet e viteve të kaluara. Motivimi i katalunasve ndaj madrilenëve është më i madh se një ndeshje kundër Eibarit. Me këtë logjikë, rezultati pozitivi i Eibarit në Camp Nou do të kishte probabilitet më të madh se sa ndonjë pikë e Realit. Tensioni psikik di të rezultoj edhe me lojë agresive dhe kartonë të kuq, dhe me shumë gjasë ndeshja do të përfundoj me më pak se 22 lojtarë në fushë. Do të jetë interesante të shohim se sa dominues do të jetë Messi në anën e Marcelos i cili në përballje me Barcelonën gjithnjë ka qenë pika me e dobët tek Reali. Gjithçka do të varet nga mesfushat dhe distribuimi i topit në fushë.


 
Të gjitha lajmet nga