SANTIAGO BERNABEU
Kokëdhimbje për Zidane, lëndime të reja
23 January, 2017 @13:10
Një ‘fitore e Pirros’ mund të quhet ajo e Realit ndaj Malagas të shtunën.
Francezi Zinedine Zidane nuk pati kohë as për t’iu gëzuar tri pikëve të arritura në këtë takim, pasi që ende pa përfunduar ndeshja, për francezin u shtuan telashet. Përveç lëndimeve që tashmë dihen: Gareth Bale, James Rodriguez, Dani Carvajal, Pepe, Danilo dhe Fabio Coentrao, në takimin ndaj Malagas Reali morri edhe 3 lëndime të tjera.
Tre të lënduarit e Realit nga ky takim janë Marcelo, Luka Modric dhe Cristiano Ronaldo.
Për shkak të problemeve muskulore, Modric dhe Marcelo do të mungojnë 1 muaj, e sa i përket Ronaldos, lëndimi duket më i lehtë, pasi që portugezi ka marrë vetëm një ‘goditje’, pra nuk pritet që lëndimi i tij të jetë serioz.
Ky lajm vjen në një kohë jo të duhur për Realin, me sfidën kthyese ndaj Celta Vigos në kuadër të ‘Copa Del Rey’ që luhet të mërkurën. Për të kaluar tutje, Reali është i detyruar ta fitojë këtë takim, pasi që takimi i parë në ‘Bernabeu’ u mbyll me fitore 1-2 të Celta Vigos.
Se si do ta menaxhojë Zidane këtë situatë, mbetet të shihet.