PARA NDESHJES: IRLANDA-KOSOVA (U17)
Kollari ndaj Irlandës pret ‘pasqyrën reale’ të Kosovës U17
22 May, 2017 @23:03
Përzgjedhësi i Kosovës U17 në futboll, Besnik Kollari, para ndeshjes që ekipi do ta zhvillojë nesër ndaj Irlandës U17 ka thënë se në këtë ndeshje pret që të sheh pasqyrën reale të Kosovës dhe secilit futbollist të ftuar.
“Pas një fitoreje jashtëzakonisht të mundimshme, por tepër domethënëse, sidomos për futbollistët, të cilët kanë marrë një shtytje të madhe, nesër na pret një ndeshje mbase edhe më e vështirë se e para, por ne kemi punuar që të jemi të qetë duke zbatuar detyrat në mënyrë që të kemi përqendrimin drejt një rezultati pozitiv. Është jashtëzakonisht me interes ashtu siç ka kërkuar edhe UEFA për zhvillimin e kësaj grup-moshe që secili futbollist të ketë edhe kohën e duhur në ndeshje. Kjo na ndihmon që të kemi pasqyrë reale për mundësitë e secilit futbollist. Republika e Irlandës pamë se kishte një ekip homogjen dhe cilësor, por jo të pamposhtur. Do të japim më të mirën për rezultat pozitiv,” ka thënë Kollari për faqen zyrtare të FFK-së sot.
Kosova në duelin e parë në turneun e Irlandës, ka mposhtur Danimarkën 5-4 me penallti, pasi që ndeshja në kohë të rregullt përfundoi 1-1.