AFCON | ORARI I NDESHJEVE | 1/4 E FINALES

Kompletohen çerekfinalistët, Salah çon tutje Egjiptin
27 January, 2022 @0:10
Në një të mërkurë mjaft interesante në Kamerun, Egjipti dhe Guinea Ekuatoriale kanë shkruar emrat e tyre në çerekfinale të Kupës së Afrikës, duke kapur biletat e fundit për tetëshen finaliste.
Egjipti, që ka rrugën tejet të vështirë drejt finales potenciale, ka eliminuar sot njërin nga kundërshtarët e vështirë në rrugë - duke e kaluar Bregun e Fildishtë pas penalltive të ekzekutuara, ku Mohamed Salah ka shënuar penalltinë vendimtare për faraonët, ndërsa Eric Bailly ka dështuar të shënojë penalltinë e fundit për elefantët.
Patjetër të vlerësohet, portieri rezervë i Egjiptit Mohamed Gabal, që hyri në lojë në minutën e 84 të ndeshjes, mbrojti një goditje vendimtare të kundërshtarëve në vazhdime dhe penalltinë finale të tyre - për t’ia hapur rrugën kombëtares egjiptiane që po drejtohet nga portugezi i njohur Carlos Queiroz.
Në anën tjetër, bileta tjetër i shkoi Guinesë Ekuatoriale. Ata pas telasheve që i shkaktuan Algjerisë në fazën grupore, ku këta të fundit u eliminuan, kanë arritur që të sigurojnë edhe çerekfinalen.
Të mërkurën ata eliminuan Malin, njëjtë, pas penalltive, ku seria shkoi deri në tetë, ndërsa përfundoi në të mirë të Guinesë Ekuatoriale, 5-6, pasi që gjatë ndeshjes dhe vazhdimeve nuk kishte gola.
ÇEREKFINALET
Tash në duel kanë mbetur vetëm tetë kombëtare, që do të luftojnë për trofe, ndërsa që të shtunën eliminohen dy, e të dielën edhe dy të tjerë - për të çuar garën në gjysmëfinale.
Gambia - Kameruni, 29.01 (17:00)
Burkina Faso - Tunizia, 29.01 (20:00)
Egjipti - Maroku, 30.01 (17:00)
Senegali - Guinea Ekuatoriale, 30.01 (20:00).