Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ANALIZA E NDESHJES

Kosova jonë

Kosova jonë


Shkruan: Luan MORINA

14 October, 2020 @23:24

Në rolin e kryetarit të FFK-së ka pasur shumë emra – disa që kanë mbajtur gjallë futbollin në të ‘90tat, disa që kanë shtyrë pranimin ndërkombëtar, përkundër armiqve të brendshëm e të jashtëm, e disa që kanë vendosur ta quajnë veten ‘president’!

Javën e kaluar, nga jeta u nda kryetari i parë i FFK-së, Agim Bytyqi. Marrja e primatit në kohëra të paqarta, ku era luftë vinte në çdo anë, sigurisht që nuk ka qenë një vendim i lehtë, sidomos kur dihen krimet që u përshkallëzuan më pas.

Por, pa marrë parasysh titullin – lojtarë, trajner, kryetar federate, më shumë se titulli i profesionit, është vepra që kanë bërë për shoqërinë ajo që përcakton titullin e nofkën e secilit, përfshirë edhe lojtarët që patëm në fushë sonte.

Me një përzierje të lojtarëve të ekipit të parë me të dytë, e edhe disa debutues në formacionin bazë, e edhe me disa lojtarë të ekipit të tretë, i bëmë ballë Greqisë, e bile e rrezikuam në shumë raste.

Nuk shfrytëzuam disa prej tyre për shkak se bëmë atë që nuk njihemi ta bëjmë në popull kryesisht – të jemi bashkëpunëtorë e të mos mendojmë për veten, por për ekipin.

I tillë qe Lirim Kastrati në dy-tri raste, kur preferonte të pasonte, e të mos tentonte vetëm. Edhe të tjerët ishin të tillë. Luajtëm si ekip, dhe kjo u vërejt gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes.

Pos si ekip, shkuam me vetëbesim më të shtuar se ndeshjeve të fundit, ishim më guximtarë në mbajtjen e topit, në qarkullimin e tij, e edhe në pasimet e gjata. Paqarada 2.0 ishte fenomenal sot, në gjithçka që bëri, Muriç po vazhdon me sigurinë e tij, dhe penalltia e dëshmoi që ka talent, vetëm që duhet të punoj në aspektin psikologjik.

Në këtë aspekt ka punuar më së shumti Challandes me ekipin, dhe kjo është vërejtur gjatë asaj serie të ëndrrave! Dhe kjo u vërejt përsëri, pas një kohe të gjatë, dhe atë nga përzgjedhja e dytë e edhe e tretë në disa raste.

Challandes më pëlqeu edhe me pak ndryshime në formacion, si në rreshtimin në mbrojtje, si në dyshen asimetrike të sulmit me Kastratin e Kolollin. Edhe qasja në ndeshje qe e mirë, ndonëse në pjesën e fundit u lodhëm, dhe është e qartë kjo lodhje, ndonëse patëm fat që nuk dolëm jashtë Ballkanit këtë javë! Në nëntor, nuk na nevojitet ndeshja miqësore, marrë parasysh që e mbyllim me

Molldavinë! Ose, së paku na nevojitet një ekip B-C për miqësoren eventuale para Sllovenisë e Molldavisë! Sigurisht që ndikim të madh do të ketë edhe situata me COVID-19, e cila na dëmtoi në afatin e shtatorit, kështu që është mirë të mundohemi e mos të rrezikojmë ardhjen e lojtarëve tanë siç bëmë në shtator!

Lojtarë, trajnerë, e ‘presidentë,’ vijnë e shkojnë, por Kosova mbetet!

Kosova ishte edhe sonte – edhe me ekip të përzier, ishim goxha mbresëlënës ndaj Greqisë!

Prandaj, nuk duhet të lutet e të pritet askush për Kosovën! Bartja e kësaj fanelle, edhe për mua si qytetar i thjeshtë është krenari, e lëre më ta vishja e ta djersitja duke mbrojtur emrin e ngjyrat e
vendit tim!

Por, e di që së paku si qytetar, po e japë maksimumin për këtë vend e këtë ekip, dhe do të dëshiroja që të gjithë ta bëjnë, gjithmonë duke menduar Kosovën, para vetvetes!


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve