LIGA E KOMBEVE: QIPRO - KOSOVA
Kosova kryen detyrën në pjesë të dytë
2 June, 2022 @19:52
Fillim i mbarë për Kosovën në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, derisa pas pjesës së parë zhgënjyese dhe aspak të mirë, këndellja në pjesë të dytë rezultoi me gola dhe fitore!
Valon Berisha dhe Edon Zhegrova shënuan për fitoren e Kosovës, për tri pikë të para të Dardanëve në Ligë të Kombeve, 0-2 [Berisha 65, Zhegrova 78].
Pjesa e parë, as që të përmendet, nuk pat raste konkrete nga ana e të përzgjedhurve të Alain Giresse, derisa qipriotët rrezikuan një herë, por seriozisht.
Në pjesë të dytë tregim tjetër. Kosova më intensive, më kërkuese dhe rastet më konkrete.
E nuk vonoi, depërtimi nga krahu i djahtë i Zhegrovës, gjeti Vedat Muriqin në mes, që me tu rrotulluar gjeti Valon Berishën në 16sh, që qëlloi bukur me të djathtën në kënd të portierit Michael për epërsinë e Kosovës.
Nga ky moment, Dardanët në fushë disi u liruan dhe sulmet rodhën pandërprerë, derisa në një aksion thuajse krejtësisht individual Zhegrova , pasi që kishte marrë një top në krah nga Florent Muslija, duke u futur në zonë me stilin e tij shënoi për 0-2, që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Qiproja në pjesë të dytë u humb krejt, ndërsa në pjesë të dytë një Kosovë krejt tjetër në fushë për një start të mirë të edicionit në grup, por edhe një motiv shtesë para duelit me Greqinë pas tri ditëve.