KOSOVA - LETONIA
Kosova përmbys Letoninë, goleada mbyllet me fitore
13 November, 2017 @21:27
Në miqësoren e zhvilluar sonte në ‘Adem Jashari’ të Mitrovicës, Kosova e Letonia dhuruan një ndeshje mjaft të bukur, e cila u mbyll me plot 7 gola dhe me Kosovën fituese falë golit të Besar Halimit shumë pak momente para fundit të ndeshjes.
Ndeshja filloi shumë mirë për Kosovën, me Milot Rashicën e Valon Berishën që rrezikuan portën mysafire, mirëpo ashtu siç ka ndodhur shumë herë në ndeshjet e fundit, Kosova pësoi në ‘cepin’ tjetër nga ‘Ligji i pashkruar i futbollit’. Pas një largimi jo të mirë të topit nga zona e Kosovës, ishte Kluskins ai që shënoi një gol të bukur për mysafirët. Gjithsesi, kjo epërsi u shua shumë shpejt, me Amir Rrahmanin që shënoi me kokë pas krosimit nga Bernard Berisha dhe shifrat u ekuilibruan.
Posedimi i Kosovës vazhdoi edhe në vazhdim, mirëpo përsëri ishte faza jonë defansive ajo që zhgënjeu dhe Sabala shënoi për 1-2. Reagimi i Kosovës erdhi 15 minuta pas golit të pësuar, me Muriqin shtatlartë që shënoi me kokë për 2-2 dhe pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.
Në pjesën e dytë, përsëri golin të parët e gjetën mysafirët, të cilët shënuan përmes sulmuesit Kluskins pas një largimi jo të mirë të topit të mbrojtësit Dallku. Pas pësimit të golit, Kosova tentoi që me disa ndryshime në formacion ta gjejë barazimin dhe ishte pikërisht i inkuadruari Elbasan Rashani ai që shënoi për 3-3 katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Pak para golit të Rashanit, ishte Suad Sahiti ai që u rrëzua në zonën e mysafirëve pas një solo akcioni, mirëpo gjyqtari nuk dha shenjë për penallti, edhe pse përsëritjet televizive treguan ndryshe.
Megjithatë, ishte Besar Halimi ai i cili nuk lejoi që Kosova mos ta fitojë duelin e parë në shtëpi. Në minutën e 4’ të lojës shtesë, Halimi, që ishte një nga lojtarët më të mirë të Kosovës sonte, arriti të shënojë për 4-3, duke bërë që festa në stadium të shpërthejë dhe Kosova ta mbyll me fitore vitin kalendarik 2017.
Kjo është miqësorja e parë që Kosova e luan në shtëpi pas pranimit në UEFA e FIFA, ndërsa sipas të gjitha gjasave do të jetë viti 2018 ai në të cilin Kosova do të fillojë të luajë përjetësisht në shtëpinë e saj.