PUBLIKOHET LISTA
Kosova publikon listën për ndeshjet e shtatorit
31 August, 2018 @19:45
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka ftuar 24 lojtarë për dy ndeshjet e shtatorit, ku Kosova do të përballet me përfaqësuesen e Azerbajxhanit dhe Ishujve Faroe, në kuadër të Ligës së Kombeve.
I vetmi emër i ri në listën e Challandes-it është qendërmbrojtësi Kastriot Dermaku, i cili në kohët e fundit po tregon paraqitje të mira në Serie B me skuadrën italiane Cosenza.
Portieri i afruar ditë më parë në përfaqësuese, Arjanet Muriqi, nuk figuron në këtë listë, për shkak se nuk i është bërë ende gati dokumentacioni. Ndërsa në mungesë të tij, së bashku me Samir Ujkanin në portë do të jenë edhe Faton Maloku dhe Visar Bekaj. Ky i fundit është futbollisti i vetëm në përfaqësuese që vjen nga Superliga e Kosovës.
Një mungesë tjetër e rëndësishme është edhe mesfushori tashmë i Lazios, Valon Berisha, i cili aktualisht është i lënduar. Gjithashtu në listë nuk figuron as emri i sapo transferuarit në Brondby, mesfushorit Besar Halimi, sikurse që mungon edhe mbrojtësi i Vorsklas, Ardin Dallku.
Kosova kundër Azerbejxhanit do të luajë më 7 shtator në Baku, derisa tri ditë më pas do ta pret përfaqësuesen e Ishujve Faroe në stadiumin e rinovuar të kryeqytetit, “Fadil Vokrri”.