LIRIA - DRITA
Liria mposht kampionin, për t’ia bërë sefte
31 August, 2018 @18:47
Skuadra e Lirisë e drejtuar nga Bedridin Gjinali ka shënuar fitoren e parë të stinorit në xhiron e tretë të Superligës, duke e mposhtur kampionin aktual të Kosovës, Dritën, në një ndeshje ku u panë 5 gola në Përparim Thaqi.
Drita ka qenë dy herë në avantazh gjatë ndeshjes, por Liria përmes Liridon Fetahajt ka kthyer rezultatin në të mirë të saj dhe në fund ka shënuar fitore 3-2 për të kapur tre pikëshin e parë të stinorit.
Xhevdet Shabani i dha avantazhin Dritës në minutën e 30-të të ndeshjes, duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtësit të Lirisë, Valon Bytyçi.
Por, dy minuta para fundit të pjesës së parë, ka qenë Qëndrim Gashi që me gol nga largësia, rreth 22 metra barazoi në 1-1 duke shënuar në portën e Leotrim Rexhepit.
Në pjesë të dytë, Shabani ishte në rolin e asistuesit. Ai pasoi për Haxhi Nezirajn, që shënoi për 1-2 në të mirë të ekipit të Bekim Isufit.
Por, një gabim i Rexhepit në portë të Dritës ka mundësuar rikthimin e Lirisë në lojë, kur Liridon Fetahaj nga gjysma e fushës tentoi të asistonte për sulmuesin bardhezi, e topi pasi që preku fushën, paraboloi Rexhepin për 2-2.
Ky gol i dha krahë Fetahajt që nuk vonoi për të shënuar edhe golin e tij të dytë sot, ndërsa të fitores për bardhezinjtë, duke e bërë 3-2 në minutën e 73-të të ndeshjes.
Deri në fund të takimit, rezultati nuk ndërroi dhe Liria kështu arriti te 3 pikët e para të stinorit, derisa Drita pësoi për të dytën herë këtë stinor.
11-shet startuese:
LIRIA: | Hodaj, Bytyqi, Gjeraj, Dina, Daci, Mustafa, Kryeziu, Fetahaj, Tushe, Gashi, Karahoda. Trajner: Bedredin Gjinali |
||
DRITA: | Rexhepi, Gërbeshi, Limani, Leci, Shaqiri, B. Shabani, Vucaj, Xh. Shabani, Neziraj, Haxhimusa. Trajner: Bekim Isufi |