MEDIAT SHQIPTARE
Panucci zbutet, rikthen përvojën në mesfushë
30 August, 2018 @16:23
Selektori i Shqipërisë, Christian Panucci, pritet të ftojë në përballjet e Ligës së Kombeve për shtator edhe mesfushorët Ergys Kaçe dhe Jahmir Hyka.
Njoftimin e ka bërë të ditur Panorama Sport sot, ndërsa Panucci që tentoi të ndërronte gjeneratën rrënjësisht, duket se nuk dëshiron të rrezikojë më.
Gazeta në fjalë gjithashtu ka siguruar se në mesfushë të kuqezinjëve ftesa do të marrin edhe dy “veteranët” e mesfushës, Migjen Basha dhe Ledian Memushaj.
Në anën tjetër, Panucci mësohet se nuk ka dërguar ftesë për sulmuesin që është në formë në Rumani, Azdren Llullaku si dhe për Kristal Abazajn. Ky i fundit pritet që gjatë shtatorit ti ndihmojë kombëtares U21.
Zyrtarisht, italiani do të shpalosë listën e të ftuarve për ndeshjet e shtatorit ndaj Izraelit dhe Skocisë të shtunën, më 1 shtator.