PARA DUELIT KOSOVA U17 - UKRAINA U17
Kosova U17 gati për Elite Round
24 March, 2019 @16:36
Djelmoshat kanë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe sipas fjalëve të selektorit Besnik Kollari, Kosova U17 do të hyjë me respekt ndaj çdo kundërshtari në prag të ndeshjeve të Elite Group të Evropianit U17.
Kosova U17 është në Grupin 5 dhe në grup ka të gjitha shtetet kundërshtare që nuk ia kanë pranuar shtetësinë [Spanja, Greqia dhe Ukraina]. E ndeshjet do të zhvillohen në Nyon të Zvicrës.
“Të gjitha ekipet me të cilat do të ballafaqohemi në këtë rreth janë jashtëzakonisht të forta dhe cilësore për vet faktin se janë kualifikuar për rrethin elitë. Ndaj, mendoj se do të jenë ndeshje të forta e të vështira dhe kështu do të jetë edhe takimi me Ukrainën. Ne kemi punuar ne përkushtim, në mënyrë që t’i kundërvihemi në mënyrën sa më të mirë dhe jo vetëm të kemi paraqitje të mirë, por edhe rezultat të mirë. Do ta bëjmë më të mirën të mundshme dhe mbetet të shihet se çka do të na sjellin këto ndeshje,” ka thënë Besnik Kollari para ndeshjes.
Kosova nesër zhvillon duelin e parë të saj në këtë garë me Ukrainën me fillim prej orës 11:00.
Fokus i të gjitha seancave stërvitore ka qenë mbrojtja e ngjeshur, një mesfushë me qarkullim të topit, sulme dhe kundërzbritje të furishme, sikur që edhe gjuajtjet e lira nga pozitat e ndryshme dhe gjuajtjet nga këndi ishin detyra të përhershme.
Ekipit të Kosovës U17 tashmë i është bashkëngjitur edhe drejtori teknik i FFK-së, Michael Nees.