MEDIA
Edy Reja pranë finalizmit me FSHF-në
23 March, 2019 @22:07
Ish trajneri i Atalantës, Lazios, Hajdukut, Napolit dhe shumë skuadrave tjera, kryesisht të Serie B-së, italiani Eduardo Reja pritet të bëhet selektor i ri i kombëtares shqiptare.
Burimet e sigurta të Panorama Sportit pranë FSHF-së i kanë bërë të ditur gazetës tiranase se Edy Reja mbrëmë ka biseduar për detajet e marrëveshjes me Armand Dukën gjatë ndeshjes Shqipëria-Turqia, të cilën kuqezinjtë e pësuan në start të kualifikimeve për EURO 2020.
Gazeta gjithashtu ka bërë të ditur se Reja ka ardhur të vëzhgon ekipin, që do të jetë i 22-ti në karrierën e italianit 73 vjeç me dy tituj të fituar në Serie B.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELAT EURO 2020
FSHF sot shkarkoi nga detyra Christian Panuccin, që nuk pat rezultate të mira me kombëtaren dhe nisi kualifikimet për EURO 2020 me humbje ndaj turqve.
Për duelin e 25 marsit ndaj Andorrës, kuqezinjtë do të drejtohen nga ish lojtari i kombëtares Ervin Bulku, që për ndihmës ka marrë Sulejman Memën.
Të njëjtin lajm e kanë dhënë edhe mediat italiane sot, duke theksuar se Reja ka qenë i papunë që prej verës 2016, kur u nda me Atalantën dhe vetëm detajet ndajnë atë nga nënshkrimi me kombëtaren.