GRUPI H: SHQIPËRIA - TURQIA
Start me humbje, fundi i Panuccit?
22 March, 2019 @22:43
Me humbje ka filluar grupi eliminator drejt EURO2020 për Kombëtaren e Shqipërisë, humbje që është e nënta për Panuccin në 15 ndeshjet e tij si trajner i Shqipërisë.
Një ndeshje, që përkundër disa mungesave të theksuara në formacion filloi mjaft mirë për Shqipërinë, e cila rrezikoi me Balajn, Balliun e Uzunin, mori kahje tjetër nga një gabim në fazën defansive në minutën e 21’ të ndeshjes.
Një pasim i gabuar nga Gjimshiti bëri që turqit të gjenden mirë në zonën e Shqipërisë, e para Berishës i saktë u tregua Burak Yilmaz, i cili shënoi për epërsinë 0-1 në rastin e vetëm të mysafirëve në këtë pjesë.
E në pjesën e dytë, ishte Calhanoglu ai që e vulosi fitoren e mysafirëve. Një lojtar që ka gjuajtje fenomenale nga distanca, u la i vetëm pak metra jashtë zonës, pozitë nga e cila ai shënoi për 0-2. Në pjesën e mbetur të ndeshjes, turqit e menaxhuan mirë epërsinë dhe arritën ta mbyllin me fitore ndeshjen e parë me Gyneshin e rikthyer në stol.
Ndeshjen e ardhshme të grupit, Shqipëria e luan si mysafire e Andorrës pas 3 ditëve, përfaqësuese që sonte u mposht 0-2 nga Islanda. Në ndeshjen tjetër të grupit, Franca fitoi 1-4 ndaj Moldavisë, për ta marrë kështu kreun e grupit.